DEKLARATE

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dënon aktet e dhunës të shfaqura në stadiumin “Partizani” të Beogradit, ku u luajt ndeshja eliminatore e Kampionatit Europian të Futbollit midis përfaqësuesve të Serbisë dhe Shqipërisë. Skena të tilla dhune janë të papranueshme në sport dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me “Fair Play” aq të nevojshëm sot në mjediset sportive. Në fushën e blertë u shfaqën skena të ndaluara dhe që nuk duhet të përsëriten më. Një grup huliganësh nuk mund të bëhen protagonist negativ në një fushë të blertë ku luhet futboll dhe ku duhet të mbizotërojë respekti. Askush nuk ka të drejtë të cënojë, të prekë dhe të fyejë të gjithë ata që zbresin në fushë për të dhuruar një spektakël sportiv.

Këto veprime dhune që mbrëmë cënuan rëndë jetën e futbollistëve dhe delegacionit shqiptar, KOKSH i dënon me forcë ato dhe prêt që UEFA të bëjë një hetim të plotë dhe të drejtë  të ngjarjes si dhe të marrë masat përkatëse për të dënuar përgjegjësit.KOKSH-i mbështet dhe këmbëngul me forcë në përhapjen e parimeve bazë të olimpizmit, për të ndalur çdo lloj racizmi, duke kërkuar më shumë respekt dhe “Fair Play”,për të njohur dhe konsideruar sportin dhe si një mjet zbavitës.

KOKSH-i mbështet në çdo aspekt vendimet e Federatën Shqiptare të Futbollit në zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë e të shëmtuar dhe falënderon të gjithë delegacionin shqiptar, përfshirë edhe të ftuarit e mediat nga Shqipëria, që nuk ranë pre e provokimeve. Ato skena dhune nuk kanë lidhje me futbollin dhe sportin, ndaj të gjithë duhet të luftojnë për të ndalur që kjo situatë të përsëritet në të ardhmen.

Ju faleminderit Ekipit kuq e zi që na bënë të ndihemi krenar për lojën dhe qëndrimin!

Viron BEZHANI

PRESIDENT I KOKSH

Print Friendly

Comments are closed.