Presidenti Nishani i dorëzon Flamurin Kombëtar Ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”

Në një ceremoni të veçantë, Presidenti i Republikës Bujar Nishani i dorëzoi sot Flamurin Kombëtar Ekipit Shqiptar që do të përfaqësojë vendin tonë në Lojërat e 17-ta Mesdhetare “Mersin 2013”, që do të zhvillohen në 20-30 qershor në Turqi.

Presidenti Nishani duke u uruar sportistëve suksese dhe medalje në Lojërat Mesdhetare theksoi se ky aktivitet është një moment shumë i rëndësishëm për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë.

Kreu i Shtetit nënvizoi se sportistët shqiptarë duhet të jenë krenarë për trashëgiminë e Shqipërisë në aspektin e kulturës dhe të sportit, por edhe përpërgatitjen e tyre sportive në përfaqësimin sa më dinjitoz të Shqipërisë në këtë kompeticion ndërkombëtar.

“Jam i sigurt që do ta përfaqësoni me dinjitet emrin e Shqipërisë, të sportit shqiptar, flamurin kombëtar”, – u shpreh Presidenti Nishani në fund të përshëndetjes së tij duke i uruar sportistët e Ekipit Shqiptar të kthehen në Shqipëri me sa më shumë medalje e vende nderi në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”.

Flamurin Kombëtar e mori në dorëzim sportistja Anxhela Kashari, e cila në emër të delegacionit shqiptar në Lojërat e 17-ta Mesdhetare premtoi se do të japin maksimumin për të përfaqësuar sa më denjësisht kombin.

Në ceremoninë e dorëzimit të Flamurit Kombëtar morën pjesë edhe drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, përfaqësues të Ministrisë së TKRS-së, drejtues të federatave sportive në vend.

(Teksti dhe imazhet, burimi nga www.president.al) 

Print Friendly

Comments are closed.